Materiale/Publikime

Studim mbi shëndetin mendor të prindërve të fëmijëve me aftësi të kufizuara intelektuale dhe sfida në zhvillim.

Studimi është kryer nga Fatjona Hysi - Psikologe e Këshillimit Prindëror pranë Qendrës së Shërbimeve "PRO PAK" të Fondacionit Down Syndrome Albania

Të jesh prind është padyshim një nga përvojat dhe përgjegjësitë më të mëdha në jetë. Çdo prind në përditshmëri përjeton shumë dashuri dhe gëzim që buron nga fëmijët dhe marrëdhënia me ta por edhe plot sfida, vështirësi dhe stres. Pa diskutim që ardhja në jetë dhe rritja e një fëmije me aftësi të kufizuara apo sfida të tjera në zhvillim, dikton një dinamikë ndryshe në sistemin familjar.

Por, panvarësisht se kjo rrjedhë, mund të marrë një tjetër drejtim, ndryshe nga çfarë dy prindërit kishin parashikuar, qëllimi final për prindërit mbetet i njëjte, si per çdo fëmije tjetër; ta ndihmojë dhe mbështesë fëmijën të përmbushë potencialin personal sa më të plotë.

Dinamikat familjare mund të ndikojnë në zhvillimin e fëmijës. Studiuesit sugjerojnë se ndërhyrja që në moshë të hershme të fëmijës është më e suksesshme kur problemet e familjes, përfshirë këtu edhe stresin e prindërve, adresohen para se të fillojnë programet e ndërhyrjes. Për këtë arsye, njohja dhe trajtimi i stresit të prindërve përbën një rëndësi të veçantë për profesionistët.

Sipas nje studimi të realizuar me 39 prindër të fëmijëve me aftësi të kufizuara intelektuale dhe vështirësi në zhvillim, të moshës 1-12 vjeç, 66,7% e prindërve, shfaqnin nivele të moderuara stresi në marrëdhënien prind-fëmijë. 41% e tyre pohuan se kujdesi i posaçëm për fëmijëne me AK, u merrte pjesën më të madhe të kohës dhe energjive. Ndërkohë që 59% e prindërve pohuan se është e vështirë të balancosh përgjegjësi të ndryshme për shkak të fëmijëve, duke sjellë si rezultat më pak zgjedhje për veten dhe shumë më pak kontroll mbi jetën. Rreth 46.3 % e prindërve besojnë se të pasurit e një fëmijë me aftësi të kufizuara e ka bërë jetën e tyre më pak fleksibël. Për 71.8% të prindëve pjesëmarrës në studim, shpenzimet për mirë-rritjen dhe zhvillimin dhe arsimin e fëmijës me AK, përbëjnë peshë të konsiderueshme në financat familjare. Megjithatë, për gati 95% të prindërve të përfshirë në studim, fëmijët ishin burimi më i madh i afeksionit që ata kishin në jetën e tyre.

48.7% e prindërve pjesëmarrës në këtë studim e vlerësonin veten e tyre si kompetent në procesin e prindërimit, e parë kjo në efikasitetin dhe kënaqësinë që merrnin nga prindërimi. Megjithatë, kompetenca prindërore pa diskutim është edhe çështje opinionesh individuale. Disa nga kriteret më gjithëpërfshirëse, që përdoren për ta vlerësuar, lidhen me efektivitetin e prindit për të menaxhuar sjelljen e fëmijës, për t’i ndihmuar ata të mësojnë dhe të ndërveprojnë shoqërisht me të tjerët, pa e poshtëruar fëmijën, pa i bërtitur dhe pa i shkaktuar kërcënim fizik.

Rreth 64 % e prindërve pohuan se kishin ndjesinë sikur nuk nuk kishin bërë aq sa duhet për fëmijën dhe se menaxhimi i të gjitha problemeve që prindërimi mbart nuk ishte aq i thjeshtë. Ndërsa për 70 % të prindërve, prindërimi i bënte të kishin ankth.

Depresioni gjithashtu mund të jëtë i zakonshëm tek prindërit e fëmijëve me nevoja të veçanta (si tek nëna ashtu edhe tek babai). Kjo mund të këtë ndikim në të gjithë funksionimin e familjes në tërësi sikurse në lidhjen prind-fëmijë dhe suportin e prindit ndaj fëmijës. Karakteristikat e fëmijës si edhe strategjitë që mund t’u kërkohen prindërve të implementojnë në shtëpi, e rrisin presionin tek prindi. Shtuar këtu faktorët financiarë, të punës e të marrëdhënies në çift, të gjitha këto ndikojnë në gjendjen shpirtërore dhe mirëqënien e prindit. 

Simptomat e depresionit prindëror dhe zhvillimi apo problemet e sjelljes së fëmijëve janë të ndërlidhura. Pasja e simtomave depresive ndikon në aftësinë e prindit për të reaguar ndaj nevojave të fëmijëve. Kërkimet në këtë fushë vazhdojnë, por në çdo rast efikasiteti prindëror dhe funksionimi i familjes duket se janë të lidhura me diagnozën e fëmijës sikurse me stresin dhe depresionin prindëror. Strategjitë që reduktojnë stresin prindëror janë të rëndësishme për të parandaluar përshkallëzimin e problematikave të shëndetit mendor.

Në studimin e realizuar, 61,5% e prindërve paraqitën një rang minimal depresioni pas aplikimit të Inventarit Beck të Depresionit. 20.5% e tyre, përjetonin një nivel të lehtë depresioni, 15,3 % shfaqën nivel të moderuar të depresionit dhe vetem 2.5% hasën kriteret e këtij inventari per t’u klasifikuar si me depresion të fortë.

Në këto rezultate ndikojnë sigurisht momenti jetësor në të cilin kanë qenë prindërit kur kanë plotësuar inventarin (Inventari kërkon raportim të simptomave për 3 javët e fundit), koha në diagnozë e fëmijës (prindërit që kanë kohë më të gjatë në diagnozë e kanë më të lëhtë të përballen me situata të ndryshme) sikurse faktorët individual të jashtëm e të brendshëm të secilit prind.

Nëse me kalimin e kohës rrethanat e lartpërmendura nuk adresohen dhe prindi nuk gjen një mënyrë çlirimi, mund të fillojnë të ndodhin ndryshime kognitive (në procesin e të menduarit) por edhe në nivelin biologjik.  Pra sa më gjatë që të ekspozohemi ndaj faktorëve stresant apo emocioneve negative dhe te menduarit negativ, aq më pak të aftë bëhemi të përballemi me këto ndjenja. Simptomat e depresionit nuk do të thonë domosdoshmërisht një diagnozë depresioni, por pa asnjë dyshim janë një alarm që duhet dëgjuar.

Ndjenjat pozitive ndaj fëmijës me aftësi të kufizuara intelektuale dhe zhvillimore mund të shoqërohen me një perspektivë më të gjerë optimiste që ndihmon në promovimin e mirëqenies dhe mbrojtjen e prindërve të fëmijëve nga efektet e dëmshme të stresit dhe depresionit. Eksperienca terapeutike botërore dhe studimet përkatëse, kanë treguar se optimizmi i lartë i prindërve shoqërohet me uljen e gjasave që fëmijët me aftësi të kufizuara të zhvillojnë probleme të rënda të sjelljes, sepse prindërit mund të jenë më të aftë të bashkëveprojnë me fëmijët, duke përdorur strategji pozitive dhe efektive.

Programet e ndihmës psikologjike mund të luajnë rol në mbështetjen e prindërve dhe familjeve me fëmijë me aftësi të kufizuara, duke qenë fleksibël ndaj shumëllojshmërisë së reagimeve të prindërve. Psikologët mund të nderhyjnë, përmes ofrimit të këshillimit apo terapisë individuale, këshillimit në grup apo teknikave të menaxhimit të stresit, duke i ndihmuar prindërit të përmirësojnë ndjenjën e mirëqënies, lehtësojnë stresin, zgjidhin krizat si dhe për të reduktuar izolimin social duke rritur ndjenjën e “të qënit bashkë”.

Në këtë studim morën pjesë 37 nëna dhe 2 baballarë të fëmijëve me AK dhe sfida në zhvillim.

 

Disa këshilla për menaxhimin e stresit

 

Aftësia për të menaxhuar stresin është e rëndësishme për çdo prind, por është e një rëndësie të veçantë, për prindërit e fëmijëve me aftësi të kufizuara. Disa këshilla mund t'i ndihmojnë ata për të zhvilluar më tepër aftësitë e menaxhimit të stresit dhe për të marrë sa më shumë kënaqësi nga jeta.

  • Të menduarit pozitiv – mësoni të mendoni pozitivisht. Rikornizoni negativitetin duke:
  • Imagjinuar si më më të keqen ashtu edhe më të mirën, sikurse edhe pasojat e mundëshme të problemeve dhe përfytyroni sesi do të përballeni me to.
  • Rrethohuni nga njerëz pozitiv dhe kufizoni situatat negative.
  • Zhvilloni një marëdhënie pozitive me shkollën.
  • Gjeni mundësitë brenda krizës. Përdorini situatat problematike për të arritur ndryshimin

 

  • Kufizoni stresit tuaj, duke pranuar kufizimet – sa më shumë rritet shqetësimi ynë mbi një situatë stresante, aq më shumë rritet stresi që kjo situatë gjeneron. Instinktivisht ne shqetësohemi për situatat që nuk i kontollojmë dot, por është e rëndësishmë të pranojmë kufizimet tona. P.sh një nxënës me vështirësi të mëdha në të nxënë, mund të mos i hasë kriteret për të hyrë në universitet, por një program punësimi mund të ishte mëse i përshtatëshëm për stilin e tij të të nxënit, duke e bërë të ndihet edhe më mirë.

Duke pranuar limitet e tij, prindërit e ndihmojnë të përparojë në një program, ku mund të jetë i suksesshëm. Kur pranojmë se nuk kemi kontroll mbi një situatë, ne e çlirojmë mendjen drejt mënyrave realiste për të përmirësuar situatën.

 

  • Planifiko – planifikimi është një mënyrë e mirë për të reduktuar stresin. Duke planifikuar vendosen prioritete të gjërave që duhen bëre, duke mos u shqetësuar për gjërat e vogla që mund të presin në kohë. Të gjithë përfitojnë nga zakoni i mirë i planifikimit. Ndajini detyrat e mëdha në më të vogla e më të menaxhueshme. Vendosni afate kohorë realiste për seicilën detyrë.

 

  • Të kujdesesh për nevojat e tua fizike e redukton stresin - Shpesh prindërit i kushtojnë shumë pak kohë dhe vëmendje nevojave të tyre fizike. Ndiqni nje plan ushqimor të shëndetshëm, mësoni si të flini sa më mirë panvarësisht stresit dhe përpiquni të ushtroheni fizikisht.

 

  • Koha për tu relaksuar – për shumë prindër, vetëm idea se duhet të gjejnë kohë për tu relaksuar, gjeneron stres, por ama kjo kohë është një domosdoshmëri. Imagjinojeni kohën tuaj për tu relaksuar si ajo mprehësja e lapsave. Nëse merrni kohë pë tu relaksuar do të keni më shumë energji për të përballuar kërkesat e jetës.

 

  • Shmangni alkoolin dhe drogat - Shpesh alkooli dhe drogat i përkeqësojnë simptomat. Provoni alternativa më të shëndetëshme për të reduktuar stresin, sic është aktiviteti fizik apo ushtrimi i ndonjë pasioni tuajin.

 

  • Organizohuni – të qënit i organizuar brenda shtëpisë, ku seicli e ka të përcaktuar hapsirën dhe gjërat e veta është një mënyrë e mirë për të rritur produktivitetin.

 

  • Ndreqni gabimet dhe pranoni humbjet – ndonjëherë edhe pse qëllimet mund të jenë mjaft të mira, ndodh të dështojmë, duke u ndjerë të frustruar, të inatosur apo të turpëruar me veten. Stresi reduktohet dukshëm, duke e pranuar dështimin dhe duke korrigjuar gabimet.

 

  • Jepini vetes kohën për të qeshur – E qeshura është e rëndësishme kudo, në punë, në shtëpi etj. Humori është i mrekullueshëm për të ndriçuar gjendjen shpirtërore. Humori pozitiv në shtëpi, forcon marrëdhëniet mes bashkëshortëve dhe fëmijëve. Gjithashtu humori ndikon në uljen e stresit në një situatë të veçante problematike.

 

  • Praktikoni nëse mundeni teknikat e relakimit sic janë yoga apo mindfullnes – këto praktika ndihmojnë për të rritur aftësinë për të rregulluar emocionet, reduktuar stresin, ankthin dhe depresionin. Gjithashtu mund të ndihmojnë ti kushtojmë vëmendje mendimeve dhe ndienjave pa i gjykuar ato.